Librat e zhvillimit personal, booktoks, klasikët dhe librat e rinj kryesojnë listat. Mes autorëve shqiptarë, kryeson Ismail Kadare me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ja 12 titujt më të kërkuar në “Book Fest”, i cili u zhvillua në TEG gjatë periudhës 18 tetor – 5 nëntor 2023
Përmbyllet me sukses “Book Fest”, – ngjarja më e madhe e librit pas Panairit të Librit të Tiranës. Në edicionin e pestë të tij, zhvilluar në qendrën tregtare më të madhe në vend, TEG, festa e librit ka shënuar një rekord shitjesh.
Platforma online Bukinist.al solli mbi 2100 tituj librash për lexuesit me një total prej 30 mijë librash, ku fokusin kryesor e përqendroi tek titujt e rinj, librat më të shitur, të gjithë nobelistët që janë përkthyer në gjuhën shqipe, romanet mister dhe thriller dhe tek ofertat që shkuan deri në -50%.
Përgjatë 19 ditëve të këtij panairi pati një interes të jashtëzakonshëm nga lexuesit jo vetëm në mjediset e qendrës tregtare por edhe online në platformën e Bukinist.al.
Nevoja urgjente për edukim financiar mban prej më shumë se dy ditësh në krye të listës librat e Robert Kiyosakit, ku së fundi botuesi Argeta LMG ka hedhur në qarkullim edhe librin e ri të këtij autori, “Një mundësi e dytë”.
Po ashtu, edhe Robert Greene, i botuar nga Pema, me të gjithë librat e tij vijon të mbetet ndër më të kërkuarit nga lexuesit tanë.
Librat e zhvillimit personal si “Arti i brishtë i not giving a f.ck” i Mark Manson, por edhe tituj të tjerë të rinj të këtij zhanri si “Fuqia e pussy”, i shkruar nga Kara King dhe botuar nga Bota Shqiptare kanë shënuar shitje në “Book Fest”.
Shqiptarët vazhdojnë të mbajnë të fortë interesin për lexuesin klasike ku librat si “Arsye dhe ndjenjë” i Jane Austen dhe “Tre shokë” i Erich Maria Remarque, mbeten ndër më të pëlqyerit nga ndjekësit e Book Fest.
Fenomeni i “Booktok”-ut tashmë është i pranishëm edhe në tregun tonë të librit, ku autorët që kryesojnë listat botërore, të tillë janë edhe në Shqipëri. Ana Huang është autorja më e lexuar e momentit pas “shkëlqimit” që pati Colleen Hoover.
Mes autorëve shqiptarë, Ismail Kadare mbetet ndër më të lexuarit, ku kësaj radhe romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte mes të përzgjedhurve nga krijimtaria e këtij autori të madh të letrave shqipe.
Edhe në këtë panair, autorja e letërsisë për fëmijë Rudina Çupi ishte më e pëlqyera nga lexuesit e vegjël.
Platforma “Bukinist.al” falënderon përzemërisht mijëra e mijëra lexues të cilët zgjodhën “Book Fest” në TEG por edhe online për të përzgjedhur librat. Rrugëtimi ynë me pasion drejt librit është më i lehtë me partnerë të pazëvendësueshëm si “Balfin Group”. Ekipi i TEG mbështeti maksimalisht këtë panair, duke e kthyer në një festë të bukur për lexuesit shqiptarë.
Më poshtë, gjeni 12 titujt më të kërkuar nga lexuesit në “Book Fest”.
“Babai i pasur, babai i varfër 1” nga Robert Kiyosaki
Ky libër mbetet guida më e mirë për edukimin financiar që është botuar ndonjëherë. Për këtë arsye, “Babai i pasur, babai i varfër” edhe pas 25 vitesh botimi vijon t’ju vijnë në ndihmë njerëzve për t’u çliruar nga prangat e parasë.
“48 ligjet e pushtetit” nga Robert Greene
Në punë dhe në dashuri, në universitet dhe në “rrugë”, në politikë, në marrëdhëniet njerëzore, në lajmet e orës 7:30 dhe në ekonomi, “48 ligjet e pushtetit” përdoren gjithkund. Njohja e tyre është shumë e sigurt, çfarëdo që të jetë synimi juaj: vetëmbrojtja ose thjesht informimi.
Ky libër u ka dhënë forcë femrave dhe ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore jetën e tyre duke u ndryshuar mënyrën e të menduarit lidhur me meshkujt e marrëdhëniet dashurore me ta…
“Arti i brishtë i not giving a f.ck” nga Mark Manson
Nuk ka një libër të dytë në kategorinë e zhvillimit personal që të ketë pasur kaq shumë sukses, ndonëse përmbys denjësisht filozofinë e të menduarit pozitiv. Prej disa vitesh kryeson listat dhe mbetet frymëzues tek lexuesit, sidomos tek ata që janë gati të përballen me problemet e jetës.
“Muzeu i pafajësisë” nga Orhan Pamuk
Ndonëse ka shumë vite i botuar, ky roman mbetet ndër veprat më të shitura të një autori nobel në Shqipëri, i krahasuar për nga pëlqimi i lexuesve me “Dashuria në kohërat e kolerës” të Gabriel Garcia Marquez apo “Plaku dhe deti” të Ernest Hemingëay. “Muzeu i pafajësisë” është një histori magjepsëse dashurie, me një shtritje të gjatë në kohë dhe një densitet të lartë emocional. Besnik i zhanrit të tij rrëfimtar, Pamuk përmes një linje të qartë me një vijueshmëri detajesh dhe sentimentesh, nuk lodhet së përsjelli lexuesin në një ëndërr të gjatë nanuritëse, por njëherësh edhe ankthioze.
“Tre shokë” nga Erich Maria Remarque
Veprën e Remarque lexuesit shqiptarë e “adhurojnë”, por sa herë që bota jonë tronditet nga lufta, romanet e tij janë këtu për të na ndihmuar që të kuptojmë tragjeditë dhe marrëzitë e qenies njerëzore. I tillë është edhe ky moment kur ka një rikthim të ethshëm të interesit për ta lexuar veprën e këtij klasiku modern të pazëvendësueshëm. Romani “Tre shokë” ka kryesuar listat e shitjeve edhe në “Book Fest”: I ndërtuar si një rrëfim në veten e parë, nga Robert Lokamp, romani zhvillohet në dy linja komplementare, linjën e shpalosjes përmes episodeve të ndryshme të një miqësie jashtëzakonisht të pastër e të sinqertë midis rrëfyesit, Oto Kaslerit dhe Gotfrid Lencit dhe linjën e një dashurie nga më të bukurat dhe prekëset që ka prodhuar letërsia moderne, ajo e Robit me Patin. Tre shokët janë tre tridhjetëvjeçarë gjermanë që kanë shpëtuar gjallë nga Lufta e Parë Botërore.
“Dashuri – Libri i parë i serisë Twisted”
I kthyer në një fenomen në tregjet amerikane, i tillë ka ardhur edhe ky roman në shqip, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dritan”. Një libër në seri, ku tashmë janë botuar në shqip dy librat e parë, seria Twisted po shënon rekorde, sidomos tek të rinjë.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare
Ismail Kadare po rigjen lexues të rinj në dekadën e fundit, ku padyshim përmes fuqisë së veprës së tij po ndërtohet një receptim ndryshe nga ai i lexuesve të para viteve 2000. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” mban të fortë vëmendjen e lexuesve për një botë që nuk i harron plagët e luftës, – njëherësh për të na thënë se shoqëria njerëzore duhet të ecë përpara.
“Jeta si një lojë shahu” nga Garry Kasparov
I sapobotuar në Tiranë, madje, i promovuar edhe në praninë e autorit, kampionit të botës në shah, Garry Kasparov, ky libër ka qenë vëmendjen dhe interesin e lexuesit edhe në Shqipëri. Jeta e Kasparov në vetvete, suksesi i pazakontë në lojën e shahur duke u kthyer në një fenomen botëror, por edhe sfidat e tij personale në jetën dhe politikën ruse, e kanë bërë të gjallë interesin e lexuesve për këtë libër, i cili është sjellë në shqip nga Eduard Shalsi, shahist, politikan dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
“Arsye dhe ndjenjë” nga Jane Austen
Kjo autore mbetet ndër klasiket më të lexuara edhe në ditët tona; i pazakontë është interesi edhe i lexuesve të rinj për romanet e saja, të cilat prej më shumë se dy shekujsh mbajnë të ndezur kureshtinë e njerëzve.
Ashtu siç e thotë edhe Elena Ferrante, “gruaja-rrëfimtare përshkruan egërsinë e botës mashkullore që bëhet gardh qark parasë, që ka frikë nga ndryshimi, jeton e zhytur në përtaci, lufton me kotësinë, e sheh punën si degraduese. E mbi të gjitha, hedh një vështrim të kthjellët mbi gjendjen femërore, mbi betejën mes grave për të fituar burra e para”.
Kjo vepër satirike, e shkruar me ndjenjë e humor të hollë, konsiderohet sot e kësaj dite një gur themeli i letërsisë botërore, prandaj dhe është ekranizuar shumë herë për kinemanë dhe televizionin.
“Rotshildët” nga Egon Caesar Conte Corti
Për këtë familje të madhe ka shumë fantazi dhe trille, dhe pikërisht për këtë arsye, kurioziteti është i lartë. Përtej konspiracionit, njerëzit duan të dinë të vërtetat e thjeshta dhe për këtë arsye, na duhen vepra të tilla. Shtëpia botuese “Bortart” sjell për herë të parë në shqip kronika e plotë për një nga sipërmarrjet më të rëndësishme familjare të botës. Rrëfenja e Egon Caesar Conte Cortit është një vepër klasike për dinastinë e bankierëve më të famshëm të botës. Ai arrin me mjeshtëri të hedhë dritë, si mbi aferat financiare të huave shtetërore dhe të administrimit të pasurive ashtu dhe mbi ndërlidhjet familjare dhe kontaktet me politikanët dhe monarkët e kohës së tyre – një kronikë familjare unike, që në të njëjtën kohë tregon se si pasuria mund të ndikojë drejtpërsëdrejti në politikë.
“Ana nga Tirana” nga Rudina Cupi
Vepra e Rudina Çupit i ka prekur mendjet dhe zemrat e lexuesve të vegjël; u ka përmbushur dëshirat e tyre për fantazi, i ka sfiduar në nevojën për t’u përkushtuar për fjalën e bukur shqipe dhe i ka bërë pjesë të pandarë në rrugëtimin për dijen. Pikërisht për këtë arsye, librat e kësaj autoreje janë përherë të pëlqyer nga vogëlushët. Edhe në këtë panair, “Ana nga Tirana” ishte mes prurjeve më të kërkuara.