
AMANTIA SIMIXHIU
Amantia ka lindur në Tiranë. Që e vogël vizatonte personazhet e filmave të saj të preferuar japonezë, Sailor Moon dhe Dragon Ball.
Kur u rrit pak ndoqi kurse të ndryshme pikture për të përmirësuar teknikën e të vizatuarit. Edhe pse zgjodhi të studionte për ekonomi, Amantia nuk e la pas dore pikturën. E frymëzuar nga udhëtimet nëpër malet e Shqipërisë, por edhe nga shumëllojshmëria dhe ngjyrat e veshjeve kombëtare, si dhe nga letërsia dhe historia shqipe, prej vitesh pikturat e saj kanë fokus kryesor peizazhe dhe subjekte të natyrës dhe kulturës shqiptare. Në çdo vizatim vërehet menjëherë stili i përkushtuar, puna cilësore dhe konceptimi emocionues duke përçuar ndjeshmëritë më të holla. Në kohën e lirë merret me krijimin e kartolinave turistike shqiptare dhe me ilustrime librash. Piktura është i vetmi aktivitet për të cilin Amantia mendon se dita, dhe shpesh edhe nata, janë shumë të shkurtra. Dëshira e saj e madhe është të vazhdojë të mjeshtërohet në ilustrimet e librave shqip dhe të krijojë serinë e parë të tregimeve të ilustruara shqiptare të stilit “fumetti“ ose “comics“.

ENXHI XHAJA
Enxhi, qysh e vogël spikati si talent në pikturë, ndaj vite më vonë ajo ndoqi Liceun Artistik e më pas Akademinë e Arteve të Bukura
Pas shkollimit pati një përvojë të gjatë si grafik-dizajner. Ilustrimi erdhi si nevojë për t’u shprehur lirisht e për t’u shkëputur disi nga kërkesat “formale” që kërkon puna e një dizajneri. Ky rizbulim zgjoi tek ajo atë Enxhin e vogël, e cila ëndërronte për lapsa me ngjyra e letra vizatimi. Disa thonë se për të kuptuar vërtet se çfarë do, duhet të rikthehesh te dëshirat e fëmijërisë. Ajo tashmë e ka kuptuar qëllimin e saj në jetë dhe ky libër me këto ilustrime të mrekullueshme flet vetë.

IREL ÇUPI
Ireli është ilustruesja më e vogël, ka nisur të ilustrojë që 10 vjeçe.
Librat a personazhet që i pëlqejnë (“zemra më bën kapërdina nga emocionet,” shprehet ajo) e nxitin të krijojë punime artistike. E frymëzuar nga librat, ajo ka luajtur rolin kryesor te filmi “Mbretëresha Teutë”, bashkë me shoqërinë e saj të klasës (shihe në YouTube). Po ta pyesësh: “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?!”, të thotë thjesht: “E madhe”.

JONA MUÇOLLARI
Jona është një ilustruese e heshtur dhe me shumë durim
Ka sy të mprehtë për dizajnin dhe të bukurën, të cilin e ka kultivuar gjatë karrierës së saj në arkitekturë. Ilustrimi i ka lindur si dëshirë për të shprehur botën dhe shpirtin krijues. Përmes përdorimit të ngjyrave të gjalla dhe vëmendjes kundrejt detajeve, Jona synon të shtojë magjinë në imagjinatën e lexuesve të vegjël dhe të përçojë dashurinë e madhe që ka për ta

KLAUDIA SORRA
Klaudia, përmes ilustrimit shpreh botën e vet artistike: shumë unike, të pandikuar nga stilet e zakonshme e nga rregullat.
Me artin e saj modern e të këndshëm ajo u ka dhënë jetë personazheve abstraktë të serisë së librave “Përralla gjuhësore”. Personazhet gramatikë-simpatikë që ka krijuar ajo tani do të mbeten të paharrueshëm.

LEDIA KOSTANDINI
Shtëpia ku Ledia është rritur ngjan më shumë me një studio pikture… porta, tavanet, muret e deri te xhamat e dritareve ku rrëshqet shiu janë të pikturuara.
E mësuar ta shohë botën me sy artistik, çdo gjë që ajo bën, si rrobat që vesh, ashtu edhe bisedat e saj, janë gjithnjë me ngjyra dhe të frymëzuara. Ledia ka ilustruar qindra libra për fëmijë. Punimet me të cilat merr pjesë në shumë ekspozita dallojnë për një stil modern dhe të gjallë, si vetë ajo.

LIDIA SALIKO
Lidia është arkitekte, por kënaqësia për t’u shprehur përmes ilustrimit i merr asaj të gjithë kohën e lirë, sepse kur një libër si ky të shkojë në duart e lexuesit të vogël, duhet të jetë i përkryer, mendon ajo
Lidia ka një natyrë të butë si pushi i lulemimozës dhe si reja e bardhë. Ndaj dy librat e saj të parë, “Bukurosa e Fjetur” dhe “Re-koko-re” janë kaq të këndshëm. Ajo mendon se të mbetesh në mendjen e vogëlushëve dhe t’u pëlqesh atyre është sfida më e madhe për të cilën ia vlen të përpiqesh.

MARCELA SHKOZA
Çdokush e ka një copëz të dashur fëmijërie brenda vetes… apo jo?!
Ilustrueses, Marcelës, i parapëlqejnë shumë ngjyrat dhe thotë se, po t’i shohësh me vëmendje punimet, mund të dallosh një pjesë të karakterit të saj çapkën prej fëmije… Ndryshe nga autorja e librit, për të recetat janë tablotë, lapsat, bojtushkat, penelat, era e vajit, copat e ashpra e të njollosura etj.

RUDINA ÇUPI
Mjaft ta shohësh ashtu buçko dhe e merr me mend se autores i pëlqejnë gatimet e mira.
Aq shumë i pëlqejnë, sa ka disa libra dhe madje edhe seri me libra për ushqimet. Por po aq i pëlqen “të gatuajë libra të shijshëm”… nga ata për të lëpirë gishtat… Pse, a s’të ka ndodhur edhe ty të lëpish gishtat për të kthyer faqen e një libri?! Tani, përveçse autore, ajo është edhe ilustruese, me librin e parë të ilustruar “Ë-ngrënësi dhe Ë-vënësi”.

SEMELA MERO
Semela ka punuar për më shumë se dhjetë vjet si një ilustruese (dizenjuese) dhe së fundmi edhe si Drejtore Arti në shtypshkronjë.
Ka ilustruar shumë libra për fëmijë dhe qindra kopertina botimesh. Emri i saj renditet në katalogun “Honour list 2022” nga iBbY (Internacional Board on Books for Young People), duke u nderuar kështu si ilustruesja shqiptare për punët e arrira në këtë drejtim.